Një tjetër histori suksesi që bën krenar komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aquila’s Nest Vineyards, vreshtaria në Connecticut e themeluar nga sipërmarrësit shqiptarë Neviana Zhgaba dhe Ardi Llomi, është renditur në vendin e pestë në USA TODAY, një nga mediat kombëtare më të njohura në Shtetet e Bashkuara, ku organizon çdo vit programin “10Best Readers’ Choice Awards”, ku ekspertët nominojnë kandidatët dhe fituesit përcaktohen nga votat e lexuesve, duke u përfshirë mes vreshtarive më të mira në të gjithë Amerikën.
E frymëzuar nga trashëgimia mesdhetare dhe mitologjia antike, Aquila’s Nest Vineyards është shndërruar në një destinacion të njohur të turizmit ku ndërthuren verërat artizanale, dhe përvojat kulturore unike që tërheqin mijëra vizitorë çdo vit.
Ky vlerësim kombëtar nuk përfaqëson vetëm suksesin e një biznesi të ndërtuar me vizion, pasion dhe përkushtim, por edhe potencialin, talentin dhe kontributin e shqiptarëve që jetojnë dhe investojnë në Shtetet e Bashkuara.
Historia e Aquila’s Nest Vineyards dëshmon se puna, përkushtimi dhe besimi në një ëndërr mund të kapërcejnë çdo kufi, duke e shndërruar një sipërmarrje me rrënjë shqiptare në një nga destinacionet më të vlerësuara të verës në Amerikë.
Me origjinë nga Korça e bukur, Neviana Zhagaba dhe Ardi Llomi kanë krijuar jo vetëm një vreshtari të suksesshme, por edhe një vatër të ngrohtë mikpritjeje, ku çdo vizitor përjeton harmoninë mes verës, natyrës dhe kulturës.
Urimet më të përzemërta për këtë arritje të jashtëzakonshme, që nderon jo vetëm biznesin tuaj, por edhe emrin e shqiptarëve kudo në botë.
